Sulmuesi argjentinas i Barcelonës ka përfituar nga këto ditë pushimi për të udhëtuar me gruan e tij.
Ai ishte në restorantin e kuzhinierit të famshëm Nusret. Ky i fundit ka demonstruar aftësitë e tij me thikë në dorë, duke e prerë një kofshë mishi në “feta” të vogla dhe, pasi Messi i ka hedhur kripën, ia ka servirur pesë herë fituesit të “Topit të Artë” në mënyrë krejt të veçantë.
Shikoni videon, që është bërë në një kohë të shkurtër mjaft virale në rrjetet sociale. Mediat katalanase kanë bërë me dije se Lionel Messi është në Dubai me pushime. Kapiteni i Barcelonës ka përfituar nga pushimi në La Liga për të shkuar me familjen e tij për pushime. Ai është parë me Antonella dhe tre fëmijët: Thiago, Mateo dhe Ciro. Futbollisti po përfiton nga katër ditët e lira, që trajneri Valverde u ka dhënë lojtarëve të tij. Ky pushim vazhdon deri të martën, në orën 11:00, kur duhet të kthehet në stërvitje. Interesant është fakti se këtë darkë, Messi e ka ngrënë edhe në shoqërinë e Paul Pogba, çka rikthen zërat për bashkimin e të dyve, si bashkëlojtarë, te Barcelona. Dihet se kampioni i Botës me Francën ka raporte të ngrira me trajnerin Jose Mourinho në “Old Trafford”, ndaj mediat kanë aluduar se mesfushori mund të largohet nga Manchester United. Barcelona ka qenë e interesuar për Pogba, duke dashur të marrë një lojtar “me peshë”, për të mbushur boshllëkun e krijuar pas largimit të ish-kapitenit, Andres Iniesta. Kuptohet, kjo darkë mes të dyve ka ringjallur aludimet se Messi po bën “shkjesin” për ta marrë Pogba në “Camp Nou”. Ndërkohë, edhe Juventusi po “vigjëlon”, por mbetet të shihet nëse Manchester United pranon të heqë dorë nga blerja e vet rekord.