Trajneri i Fulhamit, Claudio Ranieri, ka thënë se trajnerët si Jose Mourinho dhe Antonio Conte janë “zemrat e futbollit” dhe se duhen të rikthehen sa më shpejtë.
Aventura e Jose Mourinhos prej dy vite e gjysmë te Manchester United ka përfunduar të martën, kur ‘Djajtë e Kuq’ vendosën ta shkarkojnë trajnerin portugez. Conte është pa skuadër që nga vera e këtij viti, kur prishi kontratën me Chelsea, pas një fushate aspak të mirë në sezonin e dytë te kjo skuadër, ndonëse në sezonin e parë kishte fituar titullin e Premierligës.
Mourinho dhe Conte kanë qenë të lidhur me një kalim në Spanjë te skuadra e Real Madridit, dhe Ranieri beson se këta dy trajnerë duhet t’i rikthehen futbollit “Unë shkëmbej mesazhe me të. Jemi shumë miqësorë”, ka deklaruar Ranieri për raportet e tij me Jose Mourinhon. “Mendoj se njerëzit si Mourinho duhet të rikthehen sa më shpejtë, njëjtë edhe Antonio Conte. Këta trajnerë janë zemra e futbollit”. “Ata kanë fituar në të gjitha shtetet. Është mirë për të gjithë trajnerët që t’i shohim ata në fushë”.