Liverpool do të presë rivalët e Manchester United këtë fundjavë, si skuadra e pamposhtur në Premier League këtë sezon, deri më tani.
“Reds” janë në krye të klasifikimit, me një pikë më shumë se “qytetarët” e Guardiolës, ndërsa “Djajtë e Kuq” lëngojnë në vendin e gjashtë, plot 16 pikë larg kreut.
Jurgen Klopp kurrë nuk ka arritur ta mundë Manchester United e Jose Mourinhos. Fitorja e tij e fundit kundër trajnerit portugez (jo në stolin e “Djajve të Kuq” erdhi vetëm pak javë, pasi u emërua në rolin e trajnerit në “Anfield”. Por, si kanë dalë përballjet e gjermanit me trajnerin aktual të Manchester United? Cilat janë shifrat e përplasjeve kokë më kokë të Kloppit me Mourinhon? Klopp është përballur me Mourinhon nëntë herë, si trajner i Dortmundit dhe më pas i Liverpool, krahasuar me 15 ndeshjet që ka me Pep Guardiolën dhe 10 ndeshje me Arsenalin e Wengerit. Megjithëse Klopp ka fituar kundër Mourinhos, kur trajneri portugez ishte në krye të klubeve të tjera (Real Madrid dhe Chelsea), ai kurrë nuk ka fituar kundër Manchester United. Hera e parë që Klopp dhe Mourinho shkuan kokë më kokë ishin në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, si trajnerë të Dortmundit dhe Real Madridit, respektivisht. Gjermani fitoi ndeshjen e parë në shtëpi, 2-1 kundër Mourinhos, ndërsa sfida e dytë u mbyll 2-2 në “Bernabeu”. Klopp arriti ta mposhtë Mourinhon në ndeshjen e parë të fazës gjysmëfinale të së njëjtës garë, kur të dyja skuadrat u takuan përsëri, katër muaj më vonë. Më pas, Dortmundi u mund nga Bayern Munich në finale.
Të dy trajnerët nuk u takuan përsëri, deri më shumë se dy vite më vonë, kur ishin në Premier League: Mourinho në sezonin e tij të tretë në stolin e Chelsea dhe Klopp sapo kishte bërë një muaj në drejtimin e Liverpool. Humbja 3-1 e Chelsea në “Stamford Bridge”, në sezonin 2015-2016, ishte fitorja e parë e Kloppit në krye të “Reds” dhe fitorja e tij e tretë në përgjithësi kundër Mourinhos, i cili përfundoi duke u larguar nga posti i tij, vetëm disa javë pas humbjes në fjalë. Pas fitores kundër Chelsea së Mourinhos, megjithatë, Klopp dështoi të triumfojë ndaj Manchester United, në tri përplasjet e Premier League. Ndeshja më e fundit kundër “Djajve të Kuq” është luajtur më parë dhe rezultoi me humbjen e tij të parë (si trajner i Liverpool) ndaj Manchester United nën drejtimin e Mourinhos, me rezultatin 2-1. Liverpool nuk ka fituar kundër Manchester United që nga marsi i vitit 2016, kur Klopp bëri të vetën Kupën e Ligës mbi kurrizin e “Djajve të Kuq”, të cilët drejtoheshin asokohe nga Louis van Gaal. Fitorja e fundit e “Reds” në Premier League kundër rivalëve të Manchester United erdhi kur Brendan Rodgers ishte trajner i Liverpool dhe David Moyes në krye të “Djajve të Kuq”. Një fitore 3-0 në “Old Trafford”, gjatë një sezoni që pothuajse e pa skuadrën nga “Anfield” të fitonte titullin.
Po cilat janë shifrat e Klopp kundër trajnerëve të tjerë? Nga trajnerët e tanishëm të Premier League, gjermani ka pasur më shumë ndeshje me Pep Guardiolën. Së pari kur spanjolli ishte trajner i Bayern Munich dhe më pas, gjatë kohës që drejtonte Manchester City. Dhe Klopp zotëron tregues më të mirë se ndaj ndonjë trajneri tjetër, duke qenë i suksesshëm në 52.28 përqind të rasteve, përfshirë edhe Mourinhon. Nga 15 ndeshje kundër Guardiolës, Klopp ka fituar tetë here. Nga këto, katër fitore janë kundër Manchester City si trajner i “Reds”.