Enis Bardhi është mbreti i gjuajtjeve të lira.

Futbollisti shqiptar nga Maqedonia ka përqindjen më të mirë të shënimit nga gjuajtjet e lira, duke lënë mbrapa vetes shumë emra të mëdhenj të futbollit botëror, përfshirë këtu edhe argjentinasin Lionel Messi.


Ky i fundit pa dyshim se është më i miri në shumë aspekte, mirëpo kur janë në pyetje gjuajtjet e lira, ai nuk mund të veçohet në këtë garë as në La Liga, por as në klubin e tij. Emri i parë që veçohet në La Liga, është ai i Enis Bardhit, i cili ka një përqindje prej 22.2 për qind të realizimit. Bardhi nga gjithsej 27 tentativa ka realizuar 6 gola, ndërsa pas tij me përqindjen më të mirë të realizimit renditet braziliani i Barcelonës, Philippe Coutinho (20 për qind), i cili nga 25 tentativa ka realizuar 5 gola. Antoine Griezmann ka numrin e njëjtë të tentativave për gol nga gjuajtjet e lira, si të Enis Bardhit (27), mirëpo ka të shënuar vetëm 5 gola, duke u renditur i treti në këtë listë me 18.5 për qind të finalizimeve, teksa Lionel Messi ndodhet vetëm në pozitën e 15-të. Ylli i Barcelonës nga gjithsej 179 tentativa ka realizuar 17 gola, më shumë se çdo kush tjetër, mirëpo me një përqindje shumë më të vogël të finalizimeve, krahasuar me Enis Bardhin. Vetëm 9.5 për qind është efekti i goditjeve të sakta nga gjuajtjet e lira të Lionel Messit, i cili në ndeshjen e javës së fundit në La Liga kundër Espanyolit realizoi dy super gola.

Previous Next