Pesë herë fituesi i Topit të Artë, Lionel Messi, ishte ndër befasitë e ceremonisë së ndarjes së këtij çmimi pasi s’u vlerësua i denjë as për top treshe duke mos marrë vota të mjaftueshme të hënën në Paris.


Edhe pse vlerësohet si njëri prej futbollistëve, nëse jo më i miri, i të gjitha kohëve, mungesa e tij në top treshe i ka lënë shumë persona gojëhapur, pasi kjo ndodhi për herë të parë që prej vitit 2006. “Topi i Artë e humb vlerën nëse Messi nuk është aty”, ka thënë ish-trajneri i Real Madridit dhe Spanjës, Vincente del Bosque. “Unë nuk besoj në Topin e Artë. Për mua është shumë e çuditshme se Lionel Messi nuk është në mesin e tre finalistëve. Nuk mund ta besoj”, shtoi ai. Ngjashëm si Del Bosque edhe trajneri i Messit, Ernesto Valverde, theksoi: “Urime atyre që janë finalistë. Të gjithë mund të mendojnë çfarë të duan, ama është e çuditshme mungesa e tij”. Messi e fitoi La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Super Kupën e Spanjës sezonin e kaluar me Barcelonën, por Roma e eliminoi nga Liga e Kampionëve dhe më vonë në verë, nuk ishte në gjendje të bëjë paraqitje të mira me Argjentinën në Kupën e Botës. Megjithatë, bazuar në statistikat individuale, Messi e kishte sezonin më të mirë nga të gjithë. Messi e mbylli sezonin si golashënuesi më i mirë në Spanjë dhe në Evropë, po ashtu kishte edhe më së shumti asiste. Por, Modric e fitoi Topin e Artë mbi bazën se i ndihmoi Kroacisë ta arrijë finalen historike në Kupën e Botës 2018 dhe Real Madridit ta fitojë titullin e tretë më radhë në Ligën e Kampionëve.


Previous Next