Topçinjtë kërkojnë të përforcohen gjatë afatit kalimtar të janarit.
Yannick Ferreira Carrasco cilësohej si një prej talenteve më të mëdhenj në Belgjikë pasi shkëlqeu në Francë me Monacon. Por që nga transferimi i tij te Atletico Madrid, gjërat filluan të përkeqësohen për futbollistin, i cili janarin e shkuar u largua nga Spanja, për t’u transferuar në Kinë.
Ndonëse kishte interesim nga Evropa për të, belgu zgjodhi milionat e kinezëve, duke u transferuar te Dalian Jifang.
Kriza në kampionatin kinez të futbollit ka bërë që Carrasco të mendojë rikthimin në Evropë. Është Arsenali skuadra e cila tani favorizohet më shumë për të nënshkruar me 25-vjeçarin.
Topçinjtë janë në kërkim të përforcimeve dhe e shohin Carrascon si njeriun e duhur për t’u vënë nën urdhrat e Unai Emery. Në ditët në vazhdim Arsenali pritet të bëjë ofertë për belgun. Edhe skuadra e Milanit shihet si kandidate për transferimin e tij, por nga ana financiare, favorit mbetet Arsenali.