Kur ke luajtur për shumë vite futboll, sigurisht që ke edhe shumë për të treguar.
Ngjarje, ndodhi, histori, anekdota dhe histori të ndryshme merkatoje. Lorik Cana, lideri i shqiptarëve dhe tifozëve, që është tërhequr nga futbolli dhe që sot studion për drejtues, i ftuar në emisionin “Mos i fol babagjyshit” në “Ora News”, ka treguar disa detaje nga karriera e tij kur ishte i ri.
Mes tyre bie në sy sidomos historia e interesimit të Arsenalit, që sot ka në radhët e tij një shqiptar, por që përfaqëson Zvicrën (Granit Xhaka). Ishte koha kur Cana luante te PSG-ja. "Bëmë një turne në Zvicër dhe mes këtyre skuadrash ishte dhe Arsenali, PSG-ja dhe disa skuadra të tjera. Më erdhi ftesa nga Arsenali për të bërë një provë, kontretisht nga Arsen Wengeri. Isha akoma 16-vjeç dhe më kujtohet që u bëmë të gjithë gati. Ishte një mundësi e artë. Shkuam drejt Ambasadës për të marrë vizën. E shikoja si mundësinë e fundit për të pasur një karrierë futbolli, sepse kishim marrë shkresën që do të riktheheshim në Kosovë. Kur nuk ma dhanë vizën ishte shumë e rëndë. Sikur të mbyllet një derë". Cana rrëfen gjithashtu edhe aventurën te PSG, kur kishte të bënte me shumë yje në ekip. "Në moshën 18-vjeçarë kam filluar të stërvitem me ekipin e parë të PSG-së. Në atë kohë Parisi kishte yje botërore. Një nga këta ishte dhe Ronaldinjo. Sapo kishte fituar kampionatin Botëror. Më kujtohet herën e parë, kur shkova në stërvitje, i tregova dhe emrin tim. Nuk e mbajti mend dhe më thërriste Sedrik. Më vonë, e kuptova që kisha fituar besimin e tyre, kur Ronaldinjo filloi të ma thërriste saktë emrin tim. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme”.