Skuadra angleze ka nisur të këndellet që nga largimi i trajnerit portugez.
Jose Mourinho dhe Paul Pogba kanë pasur një marrëdhënie shumë të tensionuar me njëri-tjetrin, gjë që shumë herë është parë edhe publikisht. Por me shkarkimin e Mourinhos dhe ardhjen e Ole Gunnar Solskajer në stolin e Manchester United, paraqitjet e Pogbasë kanë nisur të përmirësohen dukshëm.
Sipas vëllait të reprezentuesit francez, fajin për formën e dobët të Paul e ka pasur vetë Mourinho. “Gjatë gjithë kohës, i vetmi problem ka qenë Mourinho. Si në zhveshtore ashtu edhe jashtë tyre”, ka thënë Mathias Pogba. “E njoh vëllanë tim dhe e di se kur i thua si të luajë, ai do të hyjë në fushë dhe këtë e bën më së miri”. “Nga ajo që kam parë tek Mourinho, e kam vërejtur se ai kërkon që të jetë gjithnjë në qendër të vëmendjes”. “Ndërsa Paul nuk merret me këto punë. Nëse ti e respekton edhe ai e kthen respektin, nëse i beson atij, ai do të hyjë në fushë dhe do ta shpaguajë besimin me performanca të mira në ndeshje të mëdha”, përfundoi ai.