Në mbledhjen e fundit të mbajtur nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ambasadorja e Britanisë së Madhe në këtë Këshill Karen Pierce edhe njëherë ka ritheksuar se Kosova e ka të drejtën e ushtrisë së vet.


E në lidhje me këtë deklaratë të saj, ka reaguar Ambasada e Rusisë në Londër duke thënë se Mbretësia e Bashkuar dhe vendet e tjera perëndimore injorojnë kërcënimin që përbën formimi i ushtrisë së Kosovës, ndaj serbëve të veriut. “Dëshiroj të ritheksoj se Britania e Madhe mendon se është e drejtë e Kosovës si shtet i pavarur dhe vetëqeverisës që të krijoj ushtrinë. Nuk përmban asgjë që parashikon tranzicionin e ardhshëm të FSK-së. E përsëris atë që thash në dhjetor, Kosova ka të drejtën e ushtrisë”, ishte deklarate e ambasadores britanike. Ambasada ruse ka reaguar ndaj kësaj deklarate duke thënë se kjo ushtri përveç që përbën rrezik të drejtpërdrejtë për serbët e veriut, rrezikon edhe stabilitetin në Ballkan. “Është për t’u habitur që përfaqësuesit perëndimorë vazhdojnë të injorojnë këtë fakt të dukshëm, për shembull, të përmendur në raportin e fundit gjysmëvjetor të shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë”, thuhet në reagimin e ambasadës. Duke pretenduar se formimi i ushtrisë së Kosovës është shkelje e rëndë e Rezolutës 1244, ambasada ruse poashtu është shprehur se BE ka dështuar në ndërmjetësimin e dialogut. Ambasadorja e Britanisë së Madhe në seancën e Kombeve të Bashkuara ka potencuar fuqishëm se interpretimi ligjor për Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nuk e ndalon formimin e ushtrisë së Kosovës. Po ashtu, ambasadorja britanike është shprehur se nuk është e nevojshme të mbahet kaq shpesh mbledhje për Kosovën, pasi shteti po përparon drejt Evropës.


Previous Next