Kryeministri Ramush Haradinaj pas takimit të liderëve shtetërorë, ka thënë se taksa për mallrat serbe nuk do të hiqet.
I pari i ekzekutivit ka thënë se ai e do shumë Amerikën për gjithë kontributin që ka dhënë për Kosovën. Haradinaj ka thënë se i lut drejtuesit e institucioneve në SHBA, që t’i kuptojnë për vendimin për taksën.
“Sot ka pasur takim me ambasadorin me Philip Kosnettt për të cilin kam respekt dhe është diplomat i zoti, ai ka qenë shumë i saktë i ka sugjerua Kosovës që të pezullohet taksa dhe njëkohësisht ka paraqitur edhe këtë letër që vjen për tre udhëheqësit e Kosovës, kryeministrin, kryeparlamanetarin dhe presidentin. Unë kam pas rastin që ti them. Taksa nuk u vendos në lidhje me Amerikën as zhvillimet e fundit në dialog, që 20 vjet në konflikt i ngrirë jemi lodhë dhe kërkojmë një finale Kosovë-Serbi, kërkojmë marrëveshje gjithëpërfshirëse”.
“Edhe unë jam me u hekë taksa jo mu pezullu por me u lidh me njohjen. Qëllimi është me sjellë një situatë të marrëveshjes me Serbinë. E lus vendimmarrësit në Amerikë që të na kuptojnë se nuk mundem me ju nënshtru më Serbisë”, tha Haradinaj para pak minutash.
Ai ka shtuar se gjithçka që vjen nga Amerika e kupton drejt dhe e kupton që ajo dëshiron vetëm të stabilizoj rajonin.
“Por jemi në zor, është koha të arrihet marrëveshja gjithpërfshirëse me njohje reciproke, përfshirë tregtinë e lirë dhe e përkrahi një marrëveshje të tillë. Këto që i paraqita sot janë ato që mund ti paraqet në emër të atyre qe i përfaqësoj. Taksa mos të hiqet deri në njohje, për mua nuk hiqet deri në njohje nga Serbia. Kur erdha në pushtet ishte demarkacioni i nënshkruar nga dikush tjetër, po ashtu kemi arrit marrëveshje të presidentëve për korrigjim të marrëveshjes, e rasti i tashëm i marrëveshjes obligative me Serbinë është më e rëndësishmja, do ti jap përkrahje arritjes së një marrëveshje”
