Ole Gunnar Solskajer insiston që Manchester United mund të shkruajë historinë, duke rikthyer disavantazhin prej 2-0 nga ndeshja e parë ndaj Paris Saint-Germain në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve.
United udhëton drejt Parisit ku nesër në mbrëmje do të ballafaqohet me kampionët e Francës. Ndonëse asnjëherë në histori të Ligës së Kampionëve, skuadrat që kanë humbur 0-2 ndeshjen e parë si vendas nuk kanë mundur të rikthejnë rezultatin, Solskjaer beson që lojtarët e tij mund ta bëjnë një gjë të tillë.
“Për ne asnjëherë nuk është mision i pamundur”, ka thënë norvegjezi për gazetarët. “Është një test i vështirë, por ne mund t’ia dalim. Na duhet të shënojmë golin e parë për të qëndruar në lojë”. “Gjithçka mund të ndodhë. Duhet të kemi një plan të mirë se si do të luajmë këtë takim”, ka përfunduar Solskajer.