Trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp, ka bërë një kërkesë interesante për federatën angleze të futbollit.

Skuadra e Klopp ka siguruar fazën gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ku përballë do të ketë skuadrën e Barcelonës.


Para këtyre ndeshjeve, trajneri gjerman ka thënë se do të ishte më mirë sikur federata të ndihmonte skuadrat angleze për paraqitjet në kompeticionet evropiane.

Kjo kërkesë e trajnerit erdhi pas lajmeve se liga holandeze, Eredevisie, ka shtyrë komplet xhiron e 32-të për të ndihmuar skuadrën e Ajaxit para ndeshjes me Tottenham.

Përkundër Ajax, skuadra e Liverpool do të duhet të luaj ndeshje të rëndësishme në garën për titullin e Premierligës, si dhe do të ketë përballjet me Barcelonën, e cila veçse ka siguruar titullin e kampionit në La Liga.

“Liga holandeze ka pasur problem pasi ata luajnë dy xhirot e fundit në orarin e njëjtë. Ne menduam se ata do të tërhiqnin xhiron për të shtunën, por ata nuk kanë bërë këtë, nuk e di pse” ka thënë Klopp, transmeton lajmi.net.

“A do të ndodhte një gjë e tillë në Angli? Jo, nuk mendoj se do të ndodhte këtu, as në Gjermani, të jem shumë i sinqertë” ka thënë tutje gjermani.

“Mendoj se Premierliga duhet të mbështes më shumë skuadrat. Ne tani kemi katër skuadra në gjysmëfinalet e garave evropiane dhe ky është numër i madh” ishin fjalët e Klopp.

Para ndeshjes me Barcelonën, Liverpool do të ketë dy ndeshje shumë të rëndësishme në garën për titullin e Premierligës, që do të ishte i pari që nga viti 1990.


Previous Next