Askush nuk ka një ecuri më të mirë se Ajaxi në këtë moment.
Skuadra e Erik ten Hag po bën të ëndërrojnë tifozët me paraqitje të mrekullueshme, duke kthyer përmbys skuadrat e mëdha të Europës. Gjithsesi, pas një ekipi të madh fshihet shpesh një komunikim i suksesshëm në rrjetet sociale… edhe kur bëhet fjalë për të bërë parashikimet e ndeshjeve të Champions League.
Eliminimi i Juventusit në çerekfinalet e kompeticionit europian më të rëndësishëm për klube ka qenë një rrufe në qiell të pastër, por jo për të gjithë. 8 prillin e kaluar profili zyrtar i Championsit në Twitter ka sfiduar të gjithë tifozët e futbollit me mesazhin: “Bëni parashikimin tuaj mbi ndeshjet me eliminim diretk! Kurorëzoni fituesin tuaj!”.
Nga njëra anë kanë qenë Ajax, Juventus, Tottenham dhe City, nga tjetra United, Barcellona, Liverpool dhe Porto.
E vështirë të zgjidhet? Jo për Ajaxin, që nuk ka gabuar asgjë deri tani, për fatin e keq të Cristiano Ronaldos me shokë.
UEFA thërret, Ajaxi përgjigjet: “Ku mund të firmosim?”. Ata që përkujdesen për rrjetet sociale të klubit holandez duket se nuk janë aspak supersiticozë dhe e kanë pranuar sfidën. Nga njëra anë kanë parashikuar kualifikimi i ekipit të Ten Hag dhe Tottenhamit, nga tjetra atë të Liverpoolit dhe Barcelonas: goditje të sakta!
Parashikimi ka vazhduar edhe me rezultatet e gjysmëfinaleve: Ajaxi eliminon Spurs, skuadra e Valverde mund “Të Kuqtë” dhe finalja e madhe e Madridit do të vërë përballë Leo Messit, fëmijët e mrekullueshëm holandezë. Kush e fiton Championsin? Ajax-i, natyrisht!
Bardhekuqtë duan të kthehen mbi çatinë e Europës 24 vite pas herës së fundit, kur kanë mundur Milanin në Vjenë.
A do të arrijë Ten Hag që të rishkruajë historinë e klubit pas mjeshtrit Van Gaal? Nëse kështu do të jetë, mos thoni se holandezët nuk kishin paralajmëruar.