Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, insiston se ai është shumë i lumtur që e ka Xherdan Shaqirin në skuadër dhe ka bërë të ditur se anësori 27-vjeçar ka qenë një lojtar i rëndësishëm për gjatë sezonit, mes spekulimeve se klubi mund ta shesë Shaqirin gjatë verës.


Sezoni i parë i përfaqësuesit zviceran me Liverpoolit do të mbyllet të shtunën, kur “The Reds” do të përballen me Tottenhamin në finale të Ligës së Kampionëve.

Shaqiri nuk pritet të jetë titullar në finale, mirëpo ai shpreson se do të mundë të ndikojë në rezultatin e ndeshjes duke u inkuadruar nga stoli.

Në 12 muajt e tij të parë, pasi u transferua nga Stoke City për 13.5 milionë funte, Shaqiri kontribuoi për skuadrën e Jurgen Kloppin me gjashtë gola dhe pesë asiste, përfshirë këtu golat e fitores kundër Manchester Unitedit.

Por, Shaqiri ishte titullar vetëm në një ndeshje të Premierligës mes 30 janarit dhe fundit të sezonit dhe vazhdimisht lihej në stol për të gjithë ndeshjen. Kjo bëri që të ngjallet një debat për përdorimin e tij nga Jurgen Kloppi.

Përkundër kësaj, Kloppi e lavdëroi Shaqirin kur iu shfaq një fotografi e tij kur kishte qenë i vogël.

“Mendoj se ai është nga Zvicra. Ky duhet të jetë Shaqa. Çfarë lojtari i mrekullueshëm, çfarë ambasadori i mrekullueshëm për vendin e vet. Kështu që jam shumë i lumtur që e kam atë këtu”, ka thënë Klopp.

“E di që njerëzit mendojnë se unë nuk e aktivizoj atë mjaftueshëm. Edhe ai e ka të njëjtën mendim me siguri. Por, çfarë lojtari i rëndësishëm ka qenë për ne gjatë gjithë sezonit”.



Previous Next