Kroacia “pushtohet” nga shqiptarët, në futboll. Kjo shprehje mund t’i shkonte mjaft mirë përshtat këtij fakti, që do ta zbulojmë më poshtë. Natyrisht, duke iu referuar vetë medias kroate, e cila ka përzgjedhur formacionin më të mirë të sezonit në “1. HNL”, ju konfirmojmë se nga 11 emrat e këtij top-formacioni, dy prej tyre janë shqiptarë, pjesë e kombëtares kuqezi.


Më konkretisht, fjala është për mbrojtësin Ardian Ismajli dhe sulmuesin Myrto Uzuni.

Gjatë 36 javëve të këtij kampionati, të dy kuqezinjtë tanë treguan potencialin e madh me klubet e tyre. Në përfshirjen e lojtarëve në këtë top-formacion, sipas modulit 4-2-3-1, i cili është më popullori në futbollin europian, por edhe në mesin e trajnerëve kroatë, janë marrë parasysh disa aspekte. Ndër to ka vlejtur shpallja disa herë e secilit si “lojtari më i mirë i javës”. Ja dhe vlerësimi përkatës që bën “24sata.hr” për dy shqiptarët tanë, shkruan telesport. Ardian Ismajli (22 vjeç) - “Luan në Kroaci që nga viti 2016, por vetëm këtë sezon ka shkëlqyer, edhe duke shënuar. Përpara këtij sezoni, ai luajti kryesisht për ekipin e dytë të Splitit. Me potencialin e tij ishte intrigues për të dy trajnerët atje, Kopic dhe Carilla, por nuk pati shanse aktivizimi në vazhdimësi. Fizikisht është i përsosur, ka fizikun më të mirë në kampionatin tonë. Ai është i pakompromistë në çdo duel, nuk e ka problem aspak të përballet një kundër një me cilindo. Ai luajti 20 ndeshje në “HNL 1” këtë sezon, ka marrë 9 kartonë të verdhë. Ai duhet ta lexojë lojën më mire, me aq sa mundet, për të qenë një sprovë e madhe.


Vitin e kaluar u zhvendos nga Kosova te Shqipëria dhe tashmë ka luajtur katër ndeshje me kombëtaren kuqezi. Kjo gjë do ta rrisë çmimin e tij. Për Ismajli, ndër të tjera, është e interesuar Atalanta, por nuk dyshojmë se disa klube do të trokasin për të kësaj vere”.

Myrto Uzuni (23 vjeç) - “Për këtë lojtar ofensiv, Lokomotiva ka paguar një shumë prej gati 350 mijë euro. Ai erdhi nga Superliga e Shqipërisë, nga Laçi, me garancinë e Besnik Prengës. Uzuni e ka treguar veten si një goditje e madhe. Ai bashkëpunon në mënyrë ideale me Dejan Radonjiq, i cili në këtë simbiotikë shërben si “pykë”, ndërsa shqiptari vjen si sulmues i dytë. Paraqitjet e shkëlqyera me Lokomotiv u shoqëruan nga ftesa e kombëtares shqiptare. Kësisoji, ai ka grumbulluar tashmë pesë ndeshje me kombëtaren e vendit të tij. Në “HNL 1”, Uzuni ka luajtur 29 ndeshje, ka shënuar 7 gola dhe ka dhënë 8 asiste”.

Top-formacioni i sezonit në Kroaci: Kristijan Kahlina (26) - Luka Hujber (19), Ardian Ismajli (22), Zvonimir Sharlija (22), Domagoj Bradariç (19)- Darko Nejashmiç (20), Ivan Lepinjica (19) - Serder Serderov (25), Myrto Uzuni (23), Kristijan Lovriç (23)- Cherif Ndiaye (23).



Previous Next