Duke u shprehur e lumtur për këtë sukses, ajo ka thënë se kjo mirënjohje u ndahet vetëm pak nxënësve, teksa ka kaluar me notë mesatare të shkëlqyeshme në shkollën “Andress High School”. Sipas saj, ky çmim është i një rëndësie të madhe dhe është një moment i paharrueshëm në jetën e saj.
Duke folur për sfidat për të cilat ka kaluar, Abdullahu ka shtuar se kjo mirënjohje e ardhur me shumë mund, është një motivim për të vazhduar më tutje me suksese të tilla.
“Për mua është një privilegj i madh të dalë me këtë notë mesatare dhe të jem në mesin e studentëve më të mirë në Amerikë. Gjithashtu jam shumë e lumtur për mirënjohjen e ndarë e që e njëjta është e nënshkruar nga Presidenti i USA-s, Donald Trump, mirënjohje kjo që u ndahet shumë pak vetave. Normalisht sukseset dhe motivimet nuk vijnë veç nga vetja, por që i kam gjetur tek familja ime, andaj edhe çdo sukses timin ia kushtoj familjes”, thotë Abdullahu për Llapi.info
15-vjeçarja e cila është edhe e bija e Shukri Abduallahut, që është si oficer i FSK-së për trajnim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’u kurorëzuar me këtë çmim thotë rruga s’ka qenë e lehtë dhe duke motivuar të rinjtë tjera ka theksuar se puna dhe përkushtimi i madh në fund do t’iu dihet.
“Kjo shkollë njihet si Gjimnazi i Përgjithshëm tek ne dhe të zgjidhesh si njëra ndër më të mirat është një arritje e madhe si për mua, por edhe për familjen dhe më gjerë. Do të thotë unë shkollën fillore e kam përfunduar në Gllamnik, ndërsa në Amerikë kam nisur të mesmen dhe jam ndër të mirat.
Në fillim kam pasur pak vështirësi në adaptim prej Kosove në Amerikë, por u adaptova shpejt”, vazhdon Abdullahu.
Duke folur për sistemin arsimor në këtë shkollë, 15-vjecarja thotë se synimet e mëtejme i ka ashtu siç edhe ka nisur me nota gati maksimale.
“Do të mundohem të vazhdojë kështu siç kam nisur për të korrur akoma suksese me synimet që i kam. Do të mundohem t’ia dalë me këto nota të shkëlqyera edhe në vitet tjera dhe të shpërblehem, e pse jo edhe me bursë për t’i vazhduar studimet e mia, pasi puna e palodhshme po më shpërblehet, nuk mendoj të ndalem asnjëherë. Këtu po mësove të jepet haku dhe kjo është një motivim shtesë”, përfundon rrëfimin ajo, duke dërguar edhe një mesazh.
Kanita Abdullahu, 15-vjeçare, duke folur për sukseset e para të saja, ka apeluar te të gjithë të rinjtë që të mos dorëzohen parapara sfidave dhe t’i kërkojnë sukseset dhe synimet e tyre me përkushtim, punë dhe angazhim.
Ndryshe, Kanita është vetëm njëra nga shumë të rinj kosovarë që kanë nisur të kurorëzohen me çmime nëpër vende të ndryshme.