Vedat Muriqi do të hedhë hapin gjigant drejt klubit të Galatasaray. Pas një negocimi të gjatë mes klubit të madh turk dhe Rizesporit, që ka kartonin e sulmuesit të Kosovës, akordi është gjetur dje.
Mediat turke “TRT” dhe “Fanatik” kanë bërë me dije Rizespor fillimisht kërkoi 10 milionë euro për kartonin e Muriqit, ndërsa Galatasaray ofroi vetëm 3 milionë.
Më pas kërkesa ra në 6 milionë, por me insistimin e vetë futbollistit kosovar, Rizespor pranoi të marrë 4 milionë euro, që ishte edhe oferta më e lartë nga Galatasaray, teksa Fenerbahce prej kohësh kishte ofruar 2 mln euro.
Kështu 25-vjeçari do të kalojë tek skuadra e Stambollit, aty ku vetë lojtari do të përfitojë pagë 1.8 milionë euro, por që nëse kap bonuset e vendosura shkon deri në 2.2 milionë.
Sezoni i fundit i Muriqit në Turqi ishte sukses më vete, duke qenë se arriti të shënojë 17 gola dhe dha 8 asiste në 34 ndeshje të kampionatit turk.