Për herë të parë pas polemikave në ndeshjen Argjentinë-Brazil në gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës, arbitri Rodi Zambrano ka thyer heshtjen dhe tregon të vërtetën e tij. Zambrano ia kalon topin VAR-it dhe thotë se mund të kishin bërë më mirë në këto raste.


“Otamendi në atë moment vjen për t’u përplasur me kundërshtarin dhe në gjykimin tim nuk kishim të bënim me një penallti neto. VAR-i e ka kontrolluar dhe mendoi se kjo ndërhyrje ishte 50% me 50%, por nuk më thirrën që ta shoh sërish. Ata nuk e kanë konsideruar një gabim të qartë nga ana ime për të më thënë që ta rishoh rastin”, thotë ekuadoriani. Zambrano flet gjithashtu edhe për rastin e dytë të Agueros dhe tregon marrëdhënien që ka me Mesin.

“Mendoj se Aguero i bën faull mbrojtësit dhe nuk kemi të bëjmë me penallti. Pse nuk ka një pamje nga mbrapa për ta kuptuar më mirë këtë rast?” thotë ai. “Mesi? Gjithmonë është marrë me lojën dhe ka qenë i përqendruar në fushën e lojës.

Kurrë nuk ka bërë polemika dhe u surprizova nga deklaratat e tij pas ndeshjes. Megjithatë, secili ka mendimin e tij”, përfundoi arbitri. Mesi shpërtheu pas kësaj ndeshjeje dhe tha se Brazili po ndihmohet nga arbitrat në këtë Kupë Amerike.


Previous Next