Interi dhe Milani e kanë seriozisht dhe duan stadium të ri, në zonën e San Siros, edhe pse bashkia ka dalë kundër kohët e fundit.
Sot dy klubet milaneze kanë zyrtarizuar planin për të ndërtuar një stadium të ri, ndërsa me një komunikatë zyrtare kanë shpalosur projektin që i kanë propozuar Bashkisë Milano.
Bëhet fjalë për një kërkesë drejtuar institucioneve për të marrë lejen për të ndërtuar në San Siro një zonë urbane, moderne dhe lehtësisht të arritshme në aspektin e transportit, që do të rrotullohet rreth një impianti të ri sportiv, inovativ me standardet më të larta ndërkombëtare.
Plani i prezantuar nga klubet e famshme propozon realizimin e:
- Një impianti të ri, me rreth 60.000 vende të ulura, në zonën pranë stadiumit aktual (që është pronë e bashkisë Milano dhe aktualisht u është dhënë në koncesion dy klubeve).
- Një zonë multifunksionale në zonën e stadiumit Meazza, dedikuar sportit, zbavitjes, shopingut dhe kohës së lirë, ku do të mblidhen qytetarë, tifozë e turistë gjatë gjithë vitit, duke punësuar 3.500 persona.
- Investimi është 1,2 miliardë euro, me synimin për ta kthyer futbollin e Milanos në elitën e futbollit botëror. Investimet do të përballohen nga dy klubet, kundrejt të drejtës së përdorimit të sipërfaqes për 90 vite.
Milani dhe Interi kanë shpjeguar edhe arsyet që i kanë çuar të dalin kundër rinovimit të stadiumit aktual, duke nisur nga vjetërsia e tij, humbja e të ardhurave nga ulja e kapacitetit për shumë vite, nevoja për të luajtur shumë ndeshje larg Milanos, problemet e sigurisë gjatë punimeve dhe ndeshjeve, etj.