Lionel Mesi nuk është një futbollist i zakonshëm, përkundrazi, ai është i jashtëzakonshëm. Fjalët e thëna për të duken pak dhe këtë po e vërtetojnë përditë statistikat dhe studiuesit e futbollit që merren me analizat e ndeshjeve dhe të lojtarëve. Janë mediat spanjolle që sigurojnë informacionin nga specialistët vendas se argjentinasi Mesi është lojtari më i vlefshëm në botë në çdo aspekt. Nuk janë golat ata që e bëjnë Mesin më të madhin, as metrat e vrapuara në fushë, por ajo që ai bën me topin...
Dhe veprimet që ai bën me topin janë pasimi, asistimi, hapja e lojës, zhdërvjelltësia në krijimin e aksioneve, goditja në portë dhe në drejtim të saj, saktësia dhe efikasiteti në pasimin e shkurtër e të gjatë. Të përmbledhura së bashku këta elementë, e bëjnë “Pleshtin” të pakapshëm nga çdo lojtar tjetër i madh në botë. “Leo Mesi, tashmë 30-vjeçar, ndoshta nuk mund të ketë shpërthimin e gjashtë apo shtatë sezoneve më parë, por dominon në të gjitha aspektet e lojës. Është e vërtetë që vrapon më pak, por e di shumë mirë ku duhet ta kërkojë topin dhe çfarë duhet të bëjë me kundërshtarin”, citon “Marca” një specialist spanjoll. Kur ai “ndizet”, e bën për të “vrarë”, por edhe kur ndalon, e ka një qëllim. Në goditjet drejt portës nuk ka rival, por edhe me pasime është më i miri. Argjentinasi është më i freskët sesa në sezonet e mëparshme sepse ka pushuar më shumë, por fakti që ka më pak minuta të luajtura nuk e kanë penguar të arrijë statistika pozitive. Deri tani ka shënuar 19 gola, ndërsa në dy sezonet e mëparshme numëronte 15 dhe 11. Ai është duke kaluar një nga sezonet e tij më të mira në karrierë dhe po i afrohet vitit 2013, kur arriti 28 gola.
Por Mesi nuk dominon vetëm me golat, por edhe me pasimet. Mungesa e Nejmarit ka bërë që argjentinasi të kërkojë shokë të rinj në fushë dhe më mirë se me këdo kuptohet me Zhordi Albën. Mesi ka dhënë 9 pasime për gol duke qenë më i miri në Spanjë. Por Leo dominon edhe për goditjet drejt portës kundërshtare, pasi ka arritur 53 goditje në kuadrat, ndërsa 122 goditje ka bërë në total. “Pleshti” deri tani ka kryer 949 pasime në fushën e kundërshtarëve dhe ka krijuar 21 raste për gol. Këto shifra, nuk lënë vend për të interpretuar sipas dëshirave, pasi janë fakte dhe faktet e bë- jnë Leo Mesin të paarritshëm.
Ndërkohë, dje mesfushori brazilian Filipe Kutinjo, i ardhur nga Liverpuli në ditët e para të janarit, u prezantua dhe madje u mësua edhe numri i fanellës që do të mbajë, 14-ta. Këtë numër, Kutinjo e merr nga argjentinasi Havier Maskerano që u largua dje nga klubi blaugrana pas shtatë vjetësh e gjysmë pjesëtar i tij. Para argjentinasit, këtë numër e kishin bartur Zhordi Krujf, Amunike, Gerard Lopez dhe sulmuesi i spikatur francez Thierry Henri. Kutinjo u zyrtarizua si lojtar i Barcelonës këtë afat kalimtar pas largimit nga Liverpuli. Ai besohet se do të jetë një Iniesta i ri në “Kamp Nou”.