Presidenti i Juventusit nuk e ka pranuar mënyrën sesi skuadra e tij është eliminuar nga Liga e Kampionëve.
Juventusi ka bërë një ndeshje të madhe në Santiago Bernabeu, duke realizuar tre gola dhe ishte afër ta dërgonte ndeshjen në vazhdime, por një penallti e dhënë në favor të Real Madridit në minutën e fundit të takimit, bëri që kampionët e Evropës, të avanconin për në gjysmëfinale.
Vendimin e gjyqtarit Michael Oliver e ka kontestuar ashpër presidenti i Juves, Andrea Agnelli, i cili ka thënë se ekipet italiane po dëmtohen vazhdimisht dhe për këtë i lë fajin edhe Pierluigi Collinas, për të cilin mendon se duhet të largohet nga posti i kryetarit të gjyqtarëve evropianë.
“Ndoshta duhet të merren masa edhe për përcaktuesin e gjyqtarëve. Për të demonstruar paanësi, ai (Collina) dënon vazhdimisht italianët. Duhet propozuar ndërrimi në këtë post çdo tre vite, për të mos pasur dyshime mbi kombësinë e tij, pasi bëhet fjalë për një pozicion të rëndësishëm dhe në këtë mënyrë ekipet nga Italia janë duke u dëmtuar”, tha Agnelli.
Ai gjithashtu shtoi se duhet të fillojë përdorimi i VAR edhe në Ligën e Kampionëve.
“VAR është instaluar në shumicën e kampionateve evropiane dhe përmirësohet vazhdimisht. Ka ndërhyrë shumë herë për të dhënë drejtësi, ndaj nuk shoh asnjë arsye pse të qëndrojë jashtë Ligën e Kampionëve”, u shpreh presidenti i Juventusit.

Previous Next