Prej vitesh eliminimi i skuadrave shqiptare nga kompeticionet e UEFA-s është shoqëruar me polemika përreth gjykimit. 

Rastet e dyshimta nuk kanë munguar, madje as në favor të skuadrave tona, por kur vjen fjala për të përfituar, gjithçka kalohet në heshtje.

Vera europiane e këtij viti nxori në pah një tjetër aspekt negativ të ekipeve tona pjesëmarrëse në kupat e Europës, pasi si asnjëherë tjetër janë sinjalizuar plot 8 penallti kundër.

Nëse do të ndahen me numër ndeshjesh sigurisht që nuk do të bënte përshtypje, pasi janë 12 ndeshje të luajtura duke qenë se Kukësi dhe Laçi arritën të kalonin nga një tur.



Madje nënkampionët kanë regjistruar rekordin negativ prej 3 penalltish në një ndeshje të vetme ndaj Qarabag, ndërkohë që Laçi është ndëshkuar me nga një 11-metërsh në 3 nga 4 sfidat e luajtura.

Janë të shumtë faktorët që ndikojnë në shkaktimin e penalltive, duke nisur që nga ngarkesa psikologjike e futbollistëve për të vijuar me cilësitë superiore të kundërshtarit, që mundësinë e vetme për t’u ndalur e kanë me faull.

Megjithatë çdo e keqe e ka një të mirë, pasi ky rekord duhet të shërbejë për t’u përmirësuar më tej në aspektin mbrojtës dhe për të qenë më Fair Play, në mënyrë që të paktën ndëshkimi mos të vijë me penallti, diçka që skuadrat e mëdha po mundohen ta minimizojnë në maksimum.

Previous Next