Mesfushori i krahut me tipare sulmuese, Eros Grezda, edhe zyrtarisht është futbollist i Glasgow Rangersit. 

Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë ka nënshkruar kontratë katër vjeçare me gjigantët skocez. Ai do të punojë nën urdhrat e legjendës së Liverpoolit, Steven Gerrard. Grezda u transferua nga Osijeku i Kroacisë për shumën që nuk është bërë e ditur. Talenti i Kombëtares shqiptare tha se ishte momenti i duhur për të bërë një hap më të madh në karrierë. “Mendoj se është koha e duhur për mua, në moshën 23-vjeçare, të transferohem te një klub i madh si Rangers. Ky është hap i madh në karrierën time dhe jam shumë i lumtur”, u shpreh Grezda. Kurse Gerrard, legjenda e Liverpoolit – ka vetëm fjalë të mira për shqiptarin. “Ai është lojtar i shkëlqyer dhe tifozët do ta duan atë. Është vërtetë i shpejtë, shumë direkt dhe vjen me përvojë ndërkombëtare”, deklaroi Gerrard.

Previous Next