Skocia është kthyer me fitore në grupin C1 pas humbjes së thellë kundër Belgjikës në ndeshjen e parë, duke mposhtur sonte në Glasgou kombëtaren kuqezi me rezultat 2:0 (0:0).
Derisa pjesa e parë përfundoi pa gola, pavarësisht rasteve për shënim nga vendësit, dhe një gol të anuluar për shkak të pozitës jashtë loje, Skocia në pjesën e dytë erdhi shumë shpejt në epërsi prej 1:0 kur Xhimshiti shënoi autogol, pasi devijoi një top të goditur nga Naismith. Pas golit të pësuar, Balaj ka mundur të barazojë shifrat, por goditjen e tij portieri McGregor me mjaft mund e dërgoi në korner. I njëjti lojtar pati serish rast të mirë për shënim në minutën 66, por goditja e tij e fuqishme ishte e pasaktë. Naismith në minutën 67 shënon edhe golin e dytë për skocezët, duke mposhtur portierin Strakosha. Pas epërsisë prej dy golave, skocezët u treguan më pak të interesuar për të ardhur edhe deri te goli i tretë, derisa të përzgjedhurit e teknikut italian Cristiano Panucci nuk krijuan raste për konkretizim sikur ishin pajtuar me humbjen e parë në grup. Trajneri i kombëtares kuqezi duhet serish të mendojë për ndryshime në lojën e të përzgjedhurve të tij, e cila dalloi shumë nga përballja me Izraelin dhe me një paraqitje të tillë do ta kenë të vështirë në sfidën kundër Belgjikës, e cila është njëra prej ekipeve më të mira në botë