Interi ka fituar në udhëtim te Lazio me rezultat të thellë 3-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 10-të të Serie A.
Nerazzurrët kanë vazhduar formën e lartë në kampionatin italian duke arritur edhe fitoren e gjashtë radhazi, ku kësaj radhe viktimë ishte Lazio.
Pjesa e parë e ndeshjes i takoi në tërësi Interit, të cilët përveç dominimit në lojë dhe raste, arritën t’i shënojnë edhe dy gola. Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 28-të me anë të Mauro Icardit, i cili shënoi nga afërsia për epërsinë 0-1. Në minutën e 41-të Interi gjeti edhe një herë golin me anë të Marcelo Brozovic që shënoi një supergol nga distanca për 0-2. Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e barabartë sa i përket rasteve dhe menaxhimit, por ishin përsëri vetëm mysafirët që tundën rrjetën. Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 70-të dhe ishte përsëri Icardi që shënoi, kësaj radhe nga asistimi i Borja Valeros dhe vulosi fitoren me rezultat 3-0. Pas kësaj fitore, Interi e sheh veten në pozitën e dytë me 22 pikë, ndërsa Lazio renditet e katërta me 18 pikë të mbledhura. Në ndeshjen e radhës, Nerazzurrët luajnë në shtëpi ndaj Genoas, ndërsa kryeqytetasit e presin SPAL-in.