Pas gjashtë fitoreve radhazi mes kampionatit dhe Ligës së Kampionëve, Interi po përgatitet për pjesën e nxehtë të stinorit, ku në vetëm 20 ditë do të luajë plot gjashtë sfida të vështira, katër prej të cilave në Serie A dhe dy ndaj Barcelonës për Champions.

Por në të njëjtën kohë me trajnerin, edhe drejtuesit e klubit vijojnë punën për të planifikuar merkaton e ardhshme, ndërsa rinovimi i Mauro Icardit është një çështje që po merr shumë nga koha e Drejtorit Sportiv, Piero Ausilio.


Ky i fundit deklaroi se rinovimi me kapitenin mund të dojë disa ditë, por ndoshta edhe disa muaj, duke pranuar se palët janë sa pranë, aq edhe larg zgjatjes së kontratës së bashkëpunimit mes tyre. “Sa i përket klubit, ekziston dëshira për të përmirësuar kontratën e Icardit, e po ashtu edhe ai është i gatshëm të vazhdojë bashkëpunimin”, ka thënë Ausilio për Sky Sport Italia. “Icardi ka edhe tre vite kontratë me Interin dhe gjasat janë të mëdha që ai të vazhdojë në ditët apo muajt në vijim dhe nuk ka asnjë problem në lidhje me këtë gjë”. Mediat italiane raportojnë se është arritur tashmë marrëveshja për pagën e re të kapitenit zikaltër, ndërsa çështja që ndan palët, është pikërisht ajo e klauzolës për prishjen e kontratës, me zikaltrit që duan ta heqin, ose ta rritin ndjeshëm dhe me Icardin që kërkon përfshirjen e një dëmshpërblimi prej rreth 130 milionë eurosh.

Previous Next