Trajneri i Crystal Palace, Roy Hodgson, ka thënë se ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, Wayne Rooney, u largua shumë herët nga futbolli anglez dhe se ai mund të ishte ende duke shkëlqyer në Premierligë, nëse nuk do të ishte larguar. Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit dhe Evertonit u largua nga Premierliga gjatë afatit kalimtar të verës si transferim i lirë.


Ai iu bashkua skuadrës së DC Unitedit në ligën amerikane të futbollit, Major League Soccer. Hodgson, i cili ishte trajner i Kombëtares së Anglisë kur anglezi u bë golashënuesi më i mirë i Anglisë, ka insistuar se Rooney vazhdon të mbetet mjaftueshëm i mirë për të shkëlqyer në Premierligë, por e ka kuptuar se ai nuk dëshironte të luante për ndonjë klub tjetër në vendin e tij. “Ai u largua nga Anglia shumë herët. Ai ende ka shumë gjëra për të dhënë. Nuk kam asnjë dyshim për talentin e tij dhe tashmë e ka dëshmuar se ai mund të luajë ende në nivelin më të lartë të futbollit në Angli”, ka thënë Hodgson. “Por, ishte vendimi i tij dhe pas Manchester Unitedit dhe Evertonit, ku ai kishte afinitet të mrekullueshëm, rrënjë të thella, ndoshta ai nuk ishte i interesuar të luante për ndonjë klub anglez përpos këtyre dyve”. “Ishte një vendim i vetëdijshëm për të luajtur jashtë Anglisë. Kam respekt të madh për Rooneyn dhe mendoj se edhe ai ka respekt për mua”.

Previous Next