Dy lajme shumë të rëndësishme ka marrë ekipi i Skënderbeut para ndeshjes kundër Partizanit.
Të dy pozitivë, pasi do të merret vendimi për të ardhmen e klubit. Drejtuesit korçarë kanë përfituar 450 mijë euro nga shitja e sulmuesit Peter Olayinka nga Genti te Slavia e Pragës.
“Ujqërit” zotërojnë një pjesë të kartonit dhe kanë marrë të ardhura të rëndësishme që përmirësojnë ndjeshëm arkat e klubit, por mund të largojnë dhe “ngërçin” me rrogat e futbollistëve. Nigeriani është një ndër lojtarët më të mirë që ka shkelur në Shqipëri dhe ekipi kampion i vendit po i sheh sërish frytet e tij dhe pse është larguar prej Skënderbeut që nga viti 2016. Nga krahu tjetër, klubi korçar do të mbetet aktiv në merkato, pasi ka ende lojtarë që do të mundohet të depërtojë jashtë vendit në merkaton e janarit. Fidan Aliti është një prej tyre që do të ketë mundësi të largohet. Mbrojtësi i qendrës është i spikatur te korçarët, por dhe në kampionatin tonë. Ai luan për kombëtaren e Kosovës, çka i jep më shumë mundësi largimi. CAS – Një informacion të rëndësishëm kanë marrë korçarët dhe nga CAS-i. Supersport raportoi nga hoteli ku po qëndron klubi korçar se është institucioni i UEFA-s që vendos se kur do të bëhet gjyqi dhe si duket do të mbahet në janar. Ballafaqimi i Skënderbeut me UEFA-n në CAS në lidhje me dënimin 10-vjeçar nga kompeticionet europiane dhe gjobën prej 1 milion eurosh do të vendosë të ardhmen e klubit kampion. Në rast se dënimi ulet, apo anulohet do të ndihmojë drejtuesit, në rast se CAS-i nuk ul asnjë vit nga dënimi i UEFA-s e ardhmja e Skënderbeut mbetet e paqartë.