Ish-mbrojtësi i Barcelona-s, Oleguer Presas, nuk është nga ata që e fshehin mendimin e tyre dhe në një intervistë të dhënë për revistën “Panenka”, i ka bërë të qarta ndjenjat e tij në lidhje me kombëtaren spanjolle.

Ai luajti tetë vjet në “Camp Nou”, para se të përfundonte karrierën tek Ajax.


“Nuk do ti bashkohesha një kombëtareje që nuk më përfaqëson mua në asnjë aspekt ,” ka thënë ai. “Përkundrazi, më bën të ndiej neveri për atë që përfaqëson”. Oleguer u stërvit me kombëtaren spanjolle në vitin 2005, edhe pse nuk e bëri kurrë debutimin e tij dhe refuzoi të luajë, duke ia thënë këtë gjë në mënyrë direkte trajnerit. “Biseda me Luis Aragones ishte shumë e hapur, e sinqertë dhe e qetë,” vazhdoi ai. “Nuk mund të ndihesha rehat atje, por përveç kësaj nuk më interesonte. Nuk kam parë apo ndjekur një Kampionat Europian ose një Kupë Bote, kjo nuk do të thotë asgjë për mua.” Oleguer, gjithashtu foli për disa nga polemikat që ai ka patur dhe si e bënë atë të ndihej. “Duke qenë në qendër të gjithçkaje, disa më shihnin si një ikonë për atë çfarë thashë dhe disa të tjerë më urrenin. Kam qenë gjithmonë i vetëdijshëm për këtë.” Në aspektin e futbollit, 38-vjeçari, beson se Frank Rijkaard shënoi një epokë “para dhe pas tij në historinë e Barcelonë-s”, ndërkohë që kishte edhe diçka për të thënë në lidhje me Ronaldinho. “Ai kishte cilësi të pabesueshme, fizike dhe teknike, por në fund kjo nuk është e gjitha, duhet të kesh mentalitet dhe vazhdimësi”.

Previous Next