Trajneri i Kombëtares së Maltës, Ray Farrugia, ka thënë se Kosova e ka merituar fitoren në përballjen ndaj ekipit të tij.
Përfaqësuesja e Kosovës shënoi fitore spektakolare në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, duke e mundur Maltën 3:1 në Ligën e Kombeve. Dy gola të Benjamin Kolollit dhe një gol i sulmuesit Vedat Muriqi, ia sollën tre pikët e reja Kosovës. “Pa dyshim se Kosova e meritoi fitoren”, ka deklaruar Farrugia. “Ata na dominuan pjesën e parë. Kur ne barazuam e vërejtëm një panik të vogël (te Kosova). E humbëm një lojtar me karton të kuq dhe gjërat për ne u bënë më të vështira”, theksoi ai. “Por më duhet të them se Kosova ka një të ardhme të ndritur, me lojtar të rinj dhe shumë të talentuar”. Ai në fund ka falënderuar popullin e Kosovës për mikpritjen që i është bërë Maltës.