Revista prestigjoze amerikane, “Forbes”, i ka kushtuar një shkrim të veçantë kombëtares së Kosovës në futboll, duke iu referuar arritjeve të saj të fundit: “Liga e Kombeve ka regjistruar diçka të veçantë në edicionin e saj të parë.


Për skuadrat e mëdha, ajo ka ofruar një lehtësim të mirëpritur nga lodhja e zakonshme e miqësoreve. Për disa nga kombëtaret e mesme të futbollit europian, ky kompeticion jep një mundësi për të luajtur ndeshje të rëndësishme kundër rivalëve të njëjtë, si dhe sigurimin e një rruge të mundshme për Kampionatin Europian 2020. Dhe për ndonjë kombëtare të vogël, ajo mund të ketë dhënë momentin më të madh në historinë e saj të futbollit. Sigurisht, historia e Kosovës në futbollin europian daton që nga viti 2016, por fitorja 4:0 ndaj Azerbajxhanit qëndron si ndeshja e saj më e mirë. Vendi, i cili shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, luftoi shumë për t’u pranuar në UEFA dhe e filloi jetën pa asnjë lojtar, pa stadium, por me shumë shpresë. Tani, Kosova ka një rast të mirë për t’u kualifikuar për “Euro 2020”. Për shkak të “gradës” së saj të ulët, Kosova u rendit e treta e fundit në garat për Ligën e Kombeve, e cila përmban katër liga të ndara në katër grupe. Pas fitores së kreut në grupin e vet, Kosova do të bashkohet me Bjellorusinë, Maqedoninë dhe Gjeorgjinë në “play-off”. Sistemi mund të jetë i ndërlikuar, por të gjithë në Prishtinë e dinin mirë se si funksiononte. Ata hynë në ndeshjen ndaj Azerbajxhanit duke e ditur se një fitore do ta garantonte progresin e tyre dhe stadiumi ishte plot.


Një nga problemet e Kosovës ka qenë bindja e lojtarëve më të mirë, për t’iu bashkuar asaj si kombëtare, por ka pasur mjaft prurje, veçanërisht nga komuniteti i madh i diasporës. Në të vërtetë, në ndeshjen e “Euro 2016” midis Zvicrës dhe Shqipërisë, gjysma e atyre që luajtën, mund të kishin përfaqësuar edhe Kosovën. Yjet e kalibrit të Xherdan Shaqirit të Liverpool dhe Granit Xhaka të Arsenalit, si dhe ish-ylli i Manchester United, Adnan Januzaj, mund t’i bashkoheshin Kosovës, midis qindra të tjerëve, të shpërndarë nëpër liga të mëdha në Europë. Për një komb, që pësoi emigrim masiv gjatë fundit të viteve 1990, për shkak të Luftës së Kosovës, një brez i ri, i përbërë nga emigrantë, që lëvizën si fëmijë, ose lindën pak pas largimit të prindërve të tyre, mund të ofrojë një potencial të madh me talente. Nga ata që fituan 4:0 ndaj Azerbajxhanit, shumica u rritën jashtë vendit, duke përfshirë dy yjet më të mëdhenj: Arbër Zeneli i klubit holandez, Heerenveen, dhe Milot Rashica i gjigantëve të Bundesliga, Werder Bremen. Perspektiva e kualifikimit në Europian është shpërblimi dhe gëzimi më i madh i mundshëm për një vend, që ka hedhur hapat e parë të suksesit tashmë, në futbollin ndërkombëtar.


Previous Next