Legjenda e Bayern Munich, Oliver Kahn, është favorit për të marrë vendin e Uli Hoeness si president i klubit.
Hoeness ka lënë të kuptohet se do ta braktisë rolin që mbulon aktualisht te bavarezët dhe se do të marrë një vendim mbi të ardhmen para mbledhjes vjetore të bordit drejtues, që do të zhvillohet më 30 nëntor.
Sipas “SportBild”, Kahn do të jetë pasardhësi i tij. Ish-portieri ka një marrëdhënie shumë të mirë me Hoeness dhe tani mund të mbulojë një rol të rëndësishëm te klubi ku ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij si futbollist. Lothar Matthaus, një tjetër legjendë e Bayern, beson se Kahn është kandiati më i mirë. “Oliver duhet të marrë vendin e Rummenigge. Ai është fytyra e Bayern. Ka qenë gjithmonë ambicioz dhe nuk ka reshtur së mësuari. Unë do t’ia besoja të ardhmen e Bayern-it atij”, ka thënë Matthaus. Kahn, një nga portierët më të mirë të brezit të tij, iu bashkua bavarezëve nga Karlsruher në 1994-ën dhe ka qëndruar 14 vite me klubin. Gjatë asaj kohe, ai ka luajtur 632 ndeshje dhe ka fituar shumë trofe, duke përfshirë këtu Champions League dhe tetë tituj në Bundesliga. Bayern nuk po kalon një moment të mirë me trajnerin e ri Niko Kovac, teksa kampionët në fuqi që mbajnë vendin e pestë në renditje, shtatë pikë larg kryesuesve të Dortmund.