Për një futbollist, i cili për 10 vite ka luajtur me skuadra si PSG, Barcelona dhe Milani duke përfituar paga marramendëse, të falimentojë nga ana financiare duket e paimagjinueshme, e megjithatë në Brazil janë të sigurtë se fituesi i “Topit të Artë” në vitin 2005 është në krizë të thellë ekonomike, aq sa thonë se ai ka në llogarinë e tij bankare vetëm 6 euro.
Lajmi i bujshëm dhe i pabesueshëm publikohet nga portali “UOL Esporte”, që shpjegon edhe motivet e kësaj krize të ish-futbollistit. Ditët e fundit, Gjykata e Rio Grande Do Sul urdhëroi bllokimin e pasaportës së Ronaldinhos dhe të vëllait të tij, pasi nuk paguan një gjobë të vitit 2015 të vendosur për ndërtimin e një platforme peshkimi abuzive në Porto Alegre, në një zonë të mbrojtur ambientale. Me kalimin e kohës, kjo shifër, për shkak edhe të rritjes së interesit, arriti në nivelin e dy milionë eurove, duke detyruar shtetin të ndërhyjë dhe të kontrollojë llogarinë bankare të kampionit brazilian, ku u verifikua shifra prej 6 eurosh në të. Por, për këtë falimentim të Ronaldinhos kanë lindur dyshime të forta, pasi ai mund t’i ketë derdhur fitimet e tij në një llogari tjetër bankare, në një vend tjetër. Kjo, sepse braziliani, nga ajo që shihet në rrjetet sociale, duket se ka një stil jetese ku nuk duket asnjë shenjë falimentimi, përkundrazi. Në javët e fundit, braziliani udhëtoi në Kinë, Japoni, Europë dhe Afrikë, për shkak të impenjimeve të tij në fushën e marketingut, që sigurisht i sigurojnë atij të ardhura të konsiderueshme. Në janar, kompania Nike, që është sponsori teknik i Ronaldinhos prej shumë vitesh, prezantoi linjën e re të këpucëve “R10” për nder të tij.
Madje Ronaldinho, sa herë që zbret në fushën e lojës në ndeshje me legjendat e Barcelonës përfiton 150 mijë euro. Për më tepër, më 17 nëntor do të zhvillohet në Frankfurt edhe një ndeshje miqësore me qëllime bamirësie, që do të quhet “Miqtë e Ronaldinhos”.