Ylli i kombëtares së Kosovës, Arbër Zeneli është futbollisti më i mirë i vitit 2018. Federata e Futbollit të Kosovës me një ceremoni sportive ka bërë përzgjedhjen e lauratëve më të mirë për vitin 2018.

Në ngjarjen më të madhe që organizohet nga Federata e Futbollit të Kosovës, sonte edhe një herë, u tha se më meritori për sukseset e futbollit kosovarë është legjenda Fadil Vokrri.


Ceremonia filloi me një video-dokumentar kushtuar legjendës së futbollit, Fadil Vokrri, ndërsa një mirënjohje për përkushtimin e tij, e pranoi i biri, Gramoz Vokrri.

“Prej të gjitha mirënjohjeve që i marrim ne si familje, ndoshta kjo është më e veçanta, sepse vjen nga shtëpia e dytë e Fadil Vokrrit. Kemi përjetuar një moment pak të dhimbshëm me këtë video, por kam qejf me kujtuar Fadil Vokrrin si një njëri të lumtur, dhe të gëzimeve, sepse i tillë ka qenë”, tha ai. Në ceremoninë e sotme, FFK zgjodhi Xhevdet Shabanin lojtarin më të mirë të Superligës. Trajneri më i mirë doli të jetë Bekim Isufi, gjyqtari më i mirë Genc Nuza, ndërsa klubi më i suksesshëm KF Drita. Golashënuesi më i mirë u zgjodh Bekim Haxhimusa nga KF Drita.

Në këtë ceremoni u bë edhe përzgjedhja e 11-shes më të mirë: Visar Bekaj, Armend Thaci, Armend Dallku, Hamdi Namani, Mendurim Hoti, Festim Alidemaj, Ksatriot Rexha, Leutrim Bekteshi, Endrit Krasniqi dhe Xhevdet Shabani. Arbër Zeneli, pasi mori epitetin e futbollistit më të mirë për vitin 2018, tha se falënderimin më të madh e ka për të ndjerin Fadil Vokrri, pa të cilin, siç tha ai nuk do të ishin sot këtu. “Të përfundoj këtë vit me këtë çmim është një ëndërr që po bëhet realitet.


Së pari falënderoj familjen time që janë përkrah meje gjatë, por edhe lojtarët dhe stafin e federatës, por më së shumti deshta me falënderuar Fadil Vokrrin, për shkak se pa të nuk do të ishim këtu sot”, tha ai.

Pjesë e kësaj ngjarje sportive ishin kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, krerët e FFK-së, zyrtarë nga federata të ndryshme sportive, zyrtarë nga Federata Shqiptare e Futbollit në krye me presidentin Armand Duka, dhe zyrtarë të UEFA-së dhe FIFA-së, përfshirë ikonën e futbollit kroat Zvonimir Boban. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se shpreson që edhe në vitin e ardhshëm të ketë suksese edhe më të mëdha.

“Ky vit e ka dëshmuar që Kosova po rikthehet me futboll, siç i ka hije, siç i takon dhe ju përgëzoj, e u uroj shumë. Pres që edhe viti që vjen të jetë një vit luftarak, nuk e dimë çfarë suksesi do të kemi, do të jemi ata që u vërtetu që jemi, do të jemi luftarakë, dhe me humb pas një lufte të mirë, sporti është sport nganjëherë nuk ta bjen rezultatin më të mirë”, tha ai. Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli derisa foli për legjendën e futbollit, Fadil Vokrrin, shtoi se çdo herë ndjehen krenarë që e kanë njohur.


“Besoj se djelmoshat tanë në vitin 2019, me Vokrrin, do të na dërgojnë drejtë Kampionatit Evropian, urime dhe suksese. Kjo është ajo më kryesorja. Në të njëjtën kohë edhe unë, kryeministri është aty, edhe presidenti, jemi nga pak kampion këtë vit, ia kemi qëlluar nga pak. Urime të gjithëve Ushtria e Kosovës! Do të dëshiroja dy fjalë t’i veçoja për legjendën tonë, duke e përshëndetur në mënyrë të veçantë, e di që ka dhimbje, por duhet të ketë më shumë krenari, bashkëshortja e Fadil Vokrrit. Ai nuk ka qenë futbollist që e ka fituar këpucën e artë, as topin e artë, por një gjë është e sigurt, ka qenë njeriu sportist më i mirë në botë, jemi krenarë që e kemi njohur atë”, tha ai. Fadil Vokrri ishte inspirim për Kujtim Gashin, i cili drejton Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, cili tha se Vokrri ka qenë një arsye që ta përkrah futbollin kosovarë. “Mos të iki nga kjo foltore pa e përmend një njëri, i cili më ka inspiruar në vazhdimësi që të jem mbështetës i fuqishëm i futbollit në Kosovë, edhe te pjesa e infrastrukturës, edhe te mbështetja e Federatës dhe klubeve në përgjithësi. Ai natyrisht që ka qenë Fadil Vokrri”, tha ai. Në ceremoninë e FFK-së, u ndanë çmime e mirënjohje për futbollistët më të mirë për vitin 2018, dhe u nderuan me mirënjohje ata që kontribuuan në mënyra të ndryshme për futbollin në Kosovë, raporton KosovaPress.


Previous Next