Në prag të ndeshjes që Interi do të luajë të sot në fushën e Chievos, trajneri zikaltër Luciano Spalletti ka pranuar se do të përballet me një rival të vështirë dhe se kërkon maksimumin nga e gjithë skuadra.
“Këto janë ndeshje delikate, ndaj një ekipi që kërkon të dalë nga kriza dhe jep maksimumin në fushë ndaj ekipeve të mëdha”, tha Spalletti. “Chievo është një ekip që luan në Serinë A prej vitesh dhe gjithnjë ka arritur ta realizojë këtë objektiv, duke marrë maksimumin.
Këtë gjë e pres edhe në këtë sfidë. Nëse luajmë ashtu si dimë, të përgatitur psikologjikisht, mund t’ia dalim mbanë”, u shpreh Spalletti. Duke folur për lojtarët që do të hedhë sonte në fushë, trajneri interist shton: “Nuk ka rëndësi kush luan, rëndësi kanë 3 pikët. Kur luhet çdo 3 ditë do të ketë edhe rotacion, duke vlerësuar gjendjen e futbollistëve. Ky ekip ka si lider presidentin e tij, që falë impenjimit na jep mundësi të punojmë të qetë. Ai është njeriu që na jep udhëzimet e duhura për të ecur në rrugën tonë”.