Sfida e parë e Kupës së Mbretit në “Camp Nou” në futboll, mes gjigantëve Barcelonës dhe Real Madridit përfundoi pa fitues (1:1) dhe gjithçka është e hapur për ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales që luhet me 27 shkurt (në orën 21.00) në “Santiago Bernabeu”.


Nuk ka qetësi as për Barcelonën as për Realin! Sepse barazimi 1:1 nuk i jep komoditet as Realit ani se do ta ketë përparësinë e fushës. Kur takohen këta rival të përbetuar e të përjetshëm vështirë është të parashikohet fituesi siç ndodhi të mërkurën mbrëma në “Camp Nou”.


Te dyja ekipet kanë kohë të mendojnë për sfidën e kthimit, por në anën tjetër e kanë presionin edhe në kampionatin spanjoll, veçmas në Champions League, ku nga java e ardhshme nis faza e nokautit përkatësisht e të tetës së finales. E veçanta e ndeshjes së parë të Kupës së Mbretit mes Barcelonës dhe Realit, ka qenë se Lionel Messi u inkuadrua në fushë nga minuta e 63-të. Por cilat ishin arsyet që ai nuk u fut nga minuta e parë në radhët e Barcelonës?


Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, shpjegoi vendimin e tij: "Vendimet që marr bazohen në atë, që mendoj se është më e mira për ekipin dhe lojtarin. Messi kishte shqetësime. Ishte më mirë, por menduam të hidhej në lojë në pjesën e dytë. Ai mund të jetë vendimtar, sepse e dimë rrezikun që krijon çdo herë që merr topin”. Lideri i La Liga-s do të udhëtojë drejt fushës së Athletic Bilbao të dielën, ndërsa Valverde shpreson që Messi të jetë gati për ta filluar si titullar: "Nuk e di, nëse është në rregull, do të luajë. Shpresoj që të jetë kështu".


Barcelona barazoi me golin e Malcom, pasi për të bardhët kishte kaluar në avantazh qysh herët me Lucas Vazquez. I pyetur nëse Real Madridi ishte favorit tashmë për t’u kualifikuar, në gjysmëfinalen e kthimit, Valverde tha: "Ne jemi të detyruar të shënojmë në ‘Bernabeu’, kjo është e qartë. Duhet të jemi të qetë dhe do të kemi kohë për t'u përqendruar te gjysmëfinalja e kthimit”.


Trajneri i Realit, Santiago Solari ka insistuar se Marcelo është “kapiteni i dytë” dhe “100 për qind” i fokusuar te Real Madrid. Mbrojtësi në fjalë, i cili ka qenë i përfolur për një ribashkim me Cristiano Ronaldon te Juventusi, ka bërë vetëm 12 paraqitje në La Liga, këtë sezon, ose 23 të tilla në të gjitha garat. 30-vjeçari, megjithatë, mori mbështetjen e trajnerit Solari, pas barazimit në “Camp Nou”: “Marcelo është kapiteni ynë i dytë. Ai është 100 për qind i fokusuar ndaj Real Madridit, ndaj duam të shohim formën e tij më të mirë". Ndërsa Marcelo nuk ka arritur të bindë në sezonin 2018-2019, bashkëkombësi i tij, Vinicius Junior, ka “lulëzuar” nën drejtimin e Solarit në “Bernabeu”. 18-vjeçari ishte përsëri titullar, ndaj Barcelonës, dhe mori lavdërimet e trajnerit pas ndeshjes: “Nuk jam i befasuar për zhvillimin e tij, e njoh mënyrën e tij të futbollit. Është e mahnitshme që një djalë me moshën 18 vjeç është duke përparuar në këtë mënyrë te Real Madridi.


Disa merita shkojnë për shokët e ekipit, të cilët po e mbështesin atë dhe e lejojnë të luajë mjaft mirë”. Pas ndeshjes, ishte Sergio Busquets që foli për Barcelonën. “Barazimi ishte rezultati më i drejtë. Gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit. Asnjë nuk do të jetë favorit, mendoj se është 50-50, megjithëse Real do të luajë në shtëpi. Malcom? Goli do t’i japë shumë vetëbesim. Shpresojmë që të vazhdojë kështu, por për formacionin vendos vetëm trajneri. Në këto ndeshje nuk ka favorit. Jemi dy skuadrat më të mira në Spanjë dhe Europë. Edhe në ndeshjen e kthimit do të luajmë si të barabartë”, ka thënë Busquets.

Previous Next