Një djalë 5 vjeçar është shpëtuar 24 orë pasi humbi në shkretëtirë në Argjentinën perëndimore.

Benjamín Sánchez u zhduk gjatë një udhëtimi familjar të dielën dhe u gjet nga një ekip vullnetarësh 21 km larg vendit ku u pa për herë të fundit.


“Ishte ftohtë, fjeta keq duke u shtrirë mbi një shkëmb,”-tha djali, i cili mbante veshur vetëm një bluzë dhe pantallona.

Ai tha se mbijetoi duke ngrënë bar dhe duke pirë ujë nga një lumë.

Pasi u shpëtua pasditen e së hënës , fëmija u dërgua me helikopter në një spital në San Juan.

Benjamin u gjet i ulur nën një pemë nga një motoçiklist pas një operacioni kërkimi ku u përfshinë rreth 1.000 policë, zyrtarë të mbrojtjes civile dhe vullnetarë.

“Mami po më ndiqte dhe unë fillova të vrapoja, por pastaj humba,”-tha ai për gazetën El Clarín. “U mbështeta mbi një gur dhe fillova të bërtas por ajo nuk më dëgjonte. Nisa të ecja drejt një drite që ishte shumë larg.”

Temperaturat në rajon ndryshojnë nga 30 gradë celcius gjatë ditës në rreth zero gradë gjatë natës.

“Unë u frikësova. Isha me të vërtetë i lumtur kur pashë nënën time,”-tha Benjamin.


Previous Next