Daniel Sturridge dhe Alberto Moreno do të largohen nga Liverpooli këtë verë, pasi t’iu ketë mbaruar kontrata me klubin.
Sturridge iu bashkua të kuqve nga Chelsea në janar të vitit 2013, duke i shënuar 67 gola në 160 paraqitje, derisa Moreno luajti 141 ndeshje për Liverpoolin të cilit i ishte bashkuar nga Sevilla në gusht të vitit 2014.
Të dy futbollistët nuk kanë gjetur vend në skuadrën e Liverpoolit nën udhëheqjen e Jurgen Kloppit në sezonin e fundit, dhe ata nuk bëjnë pjesë në planet e gjermanit.
Klopp tha se i falënderon të dy futbollistët për kontributin e dhënë për Liverpoolin.
“Fjalët më të rëndësishme për t’ua thënë këtyre dy futbollistëve të shquar janë ‘faleminderit’”, tha Klopp.
“Iu uroj atyre vetëm sukses dhe lumturi kudo që rrugëtimi i radhës t’i çojë. Cilido klub që do t’i ketë ata do të jetë me fat, sepse ata dy kanë personalitete të shkëlqyera”, shtoi Klopp.