Faqja sportive Sport260 e ka publikuar një artikull duke e cilësuar yllin e ekipit kombëtar të Kosovës dhe Werder Bremenit, Milot Rashicën, si zëvendësuesin më të mirë të Luis Suarezit në Barcelonë. Artikullin mund ta lexoni në vijim.


Mulliri i thashethemeve është i mbushur me spekulime që i lidhin klubet e mëdha të futbollit evropian me lojtarë të rinj e të talentuar, shkruan Sport360, transmeton Gazeta Express.

Me çmimet e rritura në tregun e futbollistëve, klubet duan t’i lënë anash transferimet e lojtarëve që tashmë kanë bërë emër të madh dhe duan të gjejnë yje potencialë në bazë të paraqitjeve të tyre mbresëlënëse që mund të jenë nënvlerësuar.

Shpeshherë talentet premtuese nuk e marrin vëmendjen që e meritojnë sepse luajnë për klube më të vogla dhe janë larg vëmendjes që i jepet kampioneve apo lojtarëve që i kryesojnë listat për gola dhe asiste.

Një kërkim më i thellë mund t’i zbulojë disa xhevahire të pazbuluar, të shpërndarë nëpër disa klube evropiane dhe njëri ndër ta është edhe Milot Rashica.


Stili i lojës

Fjala e parë që të shkon në mendje për ta përshkruar stilin e lojës të Rashicës është “e ngarkuar”.

Ai është lloji i lojtarit që nuk qëndron asnjëherë në të njëjtin vend. Gjithmonë duke vrapuar, gjithmonë duke menduar dhe gjithmonë duke bërë ndonjë lëvizje për të krijuar më shumë hapësirë.

Rashica është vetëm 1.77 metra i gjatë dhe fiziku i tij i shkurtë i ndihmon atij t’i kalojë mbrojtësit kundërshtarë me shpejtësi.

Pikërisht për shkak të shpejtësisë që e posedon, ai e filloi karrierën e tij si sulmues i krahut, mirëpo në Bremen ka filluar të luajë më shumë në pozitën e qendërsulmuesit.

Ai shpeshherë kalon në krahët e sulmit për të gjetur hapësira dhe e preferon krahun e majtë nga ku mund edhe të shënojë gola.

Rashica shkëlqen me pasimet e tij të shpejta në fazën e sulmit, të cilat krijojnë shumë raste të mira për skuadrën e tij.


Me 1/7 pasime kyçe për 90 minuta në Bundesligë sezonin e kaluar, është e qartë se mendja e tij është po aq e shpejtë sa këmbët e tij.

Kosovari ka aftësinë të shënojë gola të mrekullueshëm. Përderisa fiziku i tij bën që ai të mos jetë shumë i rrezikshëm në duelet në ajër, teknika e tij është e theksuar nga forca fizike, duke e konfirmuar se ai është mjaftueshëm i aftë ta mbajë i vetëm pozitën e qendërsulmuesit.

Nën trajnerin e Bremenit Florian Kohfeldt, energjia e Rashicës është shfaqur edhe në formë të kontributit pa topin në këmbë. Ai bën presion te mbrojtësit kundërshtarë dhe vazhdimisht kthehet prapa për t’i ndihmuar skuadrës.

Statistika kryesore

Kur luan si sulmues, Rashica ka tentuar më shumë ndërhyrje ndaj kundërshtarëve brenda 90 minutave (2.4) sesa kushdo tjetër në Bundesligë dhe ka qenë i dyti më i miri në këtë statistikë.


I ngjashëm me Luis Suarezin

Luis Suarezit i pëlqen t’i tmerrojë kundërshtarë duke ia futur topin në mes të këmbëve. Të njëjtën gjë e bën edhe Rashica. Që të dy kanë stil të mirë në driblim. Që të dyve u mungon gjatësia dhe 32-vjeçari është vetëm pesë centimetra më i gjatë se Rashica.

Situata e tij aktuale

Kontrata e Rashicës me Bremenin është e vlefshme deri në verën e vitit 2022, ndërsa transfermarkt e vlerëson atë me 18 milionë funte.

Ku mund të ketë sukses?

Barcelona: Luis Suarez është një sulmues mbresëlënës dhe katalonasit do të duan ta mbajnë atë si opsion të parë, mirëpo uruguaiani është duke iu afruar fundit të karrierës së tij. Rashica mund të jetë zëvendësuesi i tij i përsosur.

Bayern Munich: Kampionët gjermanë e kanë shprehi t’i transferojnë talentet më të mëdha në Bundesligë dhe Rashica jo vetëm që mund të jetë opsion i dytë për Robert Lewandowskin, por mund të luajë si sulmues krahu, duke e zëvendësuar ose Arjen Robbenin, ose Franck Ribberyn.


Previous Next