Ndonëse ishte shumë pranë emërimit si ndihmës i Roberto Mancinit në stolin e kombëtares italiane, Andrea Pirlo dhe drejtuesit e Federatës së Futbollit, nuk e gjetën gjuhën e përbashkët.

Ish kampioni i botës nuk e fshehu zhgënjimin për këtë mundësi të humbur, teksa thekson se gjithçka ka ndodhur për arsye ekstra-sportive.




“Unë kam qenë gjithmonë korrekt. Që në fillim kam vënë në dijeni përfaqësuesit e Federatës për kontratat e mia me sponsorët, përfshi edhe atë me Sky Sport si opinionist, të cilën po e mbyllja pikërisht për shkak të Italisë. Gjithsesi akoma nuk e kam kuptuar pse gjithçka dështoi”, deklaroi Pirlo.

Kampioni i Botës me Italinë në 2006—ën tregoi se për kombëtaren kishte ndjekur një kurs trajnimi këtë verë, por theksoi se do të vijojë të mbështesë “axurrët” edhe nga stadiumi apo ekrani.

“Kisha sakrifikuar shumë për të qenë pranë kombëtares dhe për të dhënë kontributin tim. Gjatë kësaj vere kam kryer edhe një kurs trajnimi, por tashmë mbaroi gjithçka. Gjithsesi unë do të vijoj të mbetem tifozi i parë i Italisë dhe do ta ndjek e mbështes kudo përfaqësuesen time”, tha ish fantazisti italian.

Previous Next