Pasi kanë arritur në Ishujt Faroe, përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes dhe futbollisti Herolind Shala dolën në konferencën për media para ndeshjes së sotme.
Selektori Challandes ka thënë se si përzgjedhës asnjëherë nuk e bën të ditur përbërjen e ekipit.
“Ndonëse, Ishujt Faroe luajnë në shtëpi, ne do ta luajmë lojën tonë dhe nuk do të ndryshojmë asgjë. Në ndeshjen e kaluar kemi luajtur me topa të gjatë, por ky nuk ishte problemi, por problemi kishte se patëm shumë futbollistë në 16 metërshin e kundërshtarit”, është shprehur Challandes në konferencë. Zvicerani ka folur edhe për mundësinë që ka Kosova, për t`u kualifikuar në Ligën e Kombeve. “Jemi në gjysmë të kualifikimeve dhe siç kam thënë disa herë secili ekip i ka gjasat e veta. Për mua është që të funksionojë grupi e jo individi. Kemi zëvendësues për futbollistët që do të mungojnë dhe kjo është puna ime të gjejë përbërjen sa më të mirë”, ka shtuar selektori i Kosovës. E mesfushori Shala, ka thënë se nuk paraqet problem fusha sintetike pasi shumica e lojtarëve kanë luajtur në fusha të tillë. “Nuk do të ndjejmë presionin, sepse ne do ta zhvillojmë lojën tonë dhe duhet të angazhohemi që të fitojmë pikët e plota për ta ruajtur kryesimin”, ka thënë Shala para gazetarëve. Ndeshja, Ishujt Faroe – Kosova zhvillohet sonte mbrëma me fillim nga ora 18:00, kurse në ndeshjen e parë si vendas Kosova e kishte mposhtur skuadrën e Ishujve Faroe 2 me 0, në stadiumin “Fadil Vokrri”.