Kosovës i duhen dhe 2 fitore për të shkuar në Europian, ja rregullorja për gjysmëfinalet dhe “Final Four” e Ligës së Kombeve Liga e Kombeve mbylli siparin e saj të fazës së grupeve dhe ditën e djeshme u përcaktuan disa nga verdiktet kryesore.
U mësuan skuadrat që siguruan ngjitjen një Ligë më sipër (nga D në C, nga C në B, nga B në A) dhe ato që ranë një ligë më poshtë (nga A në B, nga B në C dhe nga C në D). Fitueset e çdo grupi në çdo Ligë siguruan ngjitjen, ndërsa ato që e mbyllën në vendin e fundit ranë një Ligë më poshtë. Kujdes: Me përjashtim të Shqipërisë, e cila ishte pjesë e një grupi me tre skuadra dhe u bë një renditje e posaçme mes skuadrave të vendeve të treta të Ligës C ku bënte pjesë Kombëtarja kuqezi dhe nga kjo renditje e pësoi Qipro. Pra Shqipëria qëndroi në Ligën C edhe për sezonin e dytë, ndërsa lajmi pozitiv erdhi nga Kosova që siguroi një biletë për Ligën C. Por, nga Liga e Kombeve pati edhe verdikte të hidhura për skuadra të mëdha si Gjermania që ra nga Liga A në B. “FINAL FOUR”- Tani Liga e Kombeve merr një kthesë dhe bën një ndarje. Skuadrat fituese të grupeve në Ligën A (Portugalia, Holanda, Zvicra dhe Anglia) do të përballen me njëra-tjetrën për të përcaktuar se cila prej tyre do të jetë fituesja e parë e këtij turneu europian. Çiftet mes katër skuadrave do të përcaktohen me short, i cili do të hidhet në 3 dhjetor në 14:30 në Dublin. Dy fituesit e gjysmëfinaleve do të përballen me njëri-tjetrin në finalen e madhe, e cila do të zhvillohet në Portugali.
Gjysmëfinalet do të luhen në datat 5-6 qershor dhe finalja në 9 qershor, e cila do të shpallë fituesin e Ligës së Kombeve. “PLAY-OFF”- Por Liga e Kombeve është një shans i artë për skuadrat që nuk arrijnë të kualifikohen në “Euro 2020” nga eliminatoret e ardhshme. Pra, Kosova (si shembull) ka një rrugë më të shkurtër për të shkuar në Europian. Fillimisht do të luajë një gjysmëfinale me Maqedoninë në Shkup dhe nëse kalon do të luajë finalen e Ligës D me fituesin e çiftit Gjeorgji-Bjellorusi. Por si bëhet kjo ndarje? Fituesit e grupeve të çdo Lige (me përjashtim të A-së) renditen nga më i miri te më i dobëti në bazë të pikëve (ose golavarazhit). Dhe ekipi i parë luan me të katërtin dhe i dyti me të tretin. Ky rregull ndiqet për Ligën B, C dhe D. Fituesi i këtyre finaleve do të sigurojë një vend në Europianin 2020.